• Fri. Apr 26th, 2024

Mos qesh shumë, sepse qeshja e shumtë ta vdesë zemrën

Bylexopress

Nov 11, 2020

Lukmani i urtë e ka këshilluar djalin e tij: “O biri im, mos qesh pa ndonjë nevojë, mos ec nëpër tokë pa qëllim, mos pyet për atë që nuk të përket, mos e shkatërro pasurinë tënde për ta përparuar pasurinë e dikujt tjetër. Pasuria jote është ajo që ke përgatitur për Ahiret, kurse pasuria e tjetërkujt është ajo që e lë pas vdekjes tënde.”

Pejgamberi (savs), në hadithin e tij nuk ka thënë: mos qesh, por mos qesh shumë. Në Islam qeshja lejohet. Islami është fe e gëzimit, e lumturisë dhe e optimizmit, ajo është e kundërta e ankimit, bërtitmës, keqdashjes, pesimizmit dhe dëshpërimit.

Transmetohet nga Xhabiri (r.a.), se ka thënë: “Ne u ulëm në xhaminë e Pejgamberit (savs) pas namazit të sabahut, i kujtuam zakonet tona dhe ato që kishim bërë në xhahilijet, dhe pastaj u qeshëm për to. Një mëngjes, Omeri (r.a.), foli për xhahilijetin e tij, duke thënë: “Në xhahilijet unë doja të blija një idhull që ta marrë me vete në udhëtim, që të ishte gjithmonë me mua, në mënyrë që të mund t’i lutesha. Mirëpo, nuk kisha para për të. Atëherë mora hurma, ua nxora bërthamat, pastaj i shtypa dhe bëra një përzierje, pastaj prej tyre e bëra një idhull, i cili kishte kokën, krahët dhe këmbët. Unë qëndroja para tij dhe lutesha: ‘Na jep shi, na jep bereqet në tregti, na i shëro të sëmurët tonë!’ Mirëpo, një herë në udhëtim, unë isha i uritur dhe nuk kisha asgjë tjetër përveç atij idhulli dhe e hëngra atë!” Ne të gjithë u qeshem me tregimin e Omerit, kurse pastaj edhe Pejgamberi (savs), i cili deri atëherë bënte dhikër, u kthye kah ne dhe qeshi.”

Transmetohet se Musai (a.s.), i kishte kërkuar Hidrit që t’ia jepte ndonjë mesazh, dhe Hidri i kishte thënë: “Unë po të këshilloj që të jesh i buzëqeshur dhe jo i zemëruar, të jesh i dobishëm dhe jo i dëmshëm, që ta braktisësh grindjen në çdo situatë. Mos ec nëpër tokë pa qëllim, mos u qesh pa nevojë, mos i qorto njerëzit për mëkatet e tyre, por vajto për mëkatet e tua.”

Abdusamed Nasuf Bušatlić;

Përkthim: Miftar Ajdini

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *