• Fri. Apr 26th, 2024

Paraja dhe kaderi (caktimi) i Allahut

Bylexopress

Apr 10, 2020

“Sikur Allahu t’i furnizonte me sasi të mëdha robërit e Vet, ata do të tërboheshin në Tokë, por Ai u jep në atë masë sa dëshiron, sepse, Ai i njeh mirë dhe i sheh
robërit e Vet.” 
(esh Shura, 27)

Ky ajet e përçon një realitet shumë interesant për ne. Allahu u jep atyre që Ai i do aq sa është e mjaftueshme që ata të mos i kalojnë kufijtë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: Unë e di se sa jeni ju të aftë, dhe nëse Unë ju jap gjithçka, atëherë ju do të shkonit përtej asaj që ju është lejuar.

Kjo gjithashtu është treguar edhe në biografinë e Pejgamberit (savs), në hadithin e transmetuar nga Buhariu. Transmetohet se Pejgamberi (savs), u shpërndau para një grupi njerëzish. Njëri prej sahabëve i tha: “Pse nuk po i jep këtij dhe atij? Betohem në Allahun, mendoj se ai është njeri i mirë!”

Pejgamberi Muhamed (savs), e injoroi atë dhe vazhdoi shpërndarjen. Sahabiu e përsëriti të njëjtën gjë, kurse Pejgamberi (savs), e injoroi atë për herë të dytë. Ai e përsëriti edhe për herë të tretë, dhe atëherë Pejgamberi (savs) iu kthye dhe i tha: “Ndonjëherë unë u jap para njerëzve, dhe atë, jo atyre që i dua më shumë, por unë nuk u jap atyre, nga frika se ato para mund të jenë sprovë e cila do t’i çojë ata në Zjarr.”

Me fjalë të tjera, pejgamberi Muhamed (savs), i njeh njerëzit. Dhe ai thotë: “Ajo që ti po thua për këtë njeri mund të jetë e saktë, ai është i mirë, por ai nuk është i duruar me para. Ai ndoshta mund të bëjë me to diçka që nuk është e përshtatshme.”

Mësimi që duhet ta nxjerrim

Ajo që mund ta mësojmë nga ky ajet dhe hadith është shumë e thjeshtë: Ajo që nuk e kemi dhe që jemi munduar ta fitojmë, por nuk e kemi fituar, atëherë duhet të jemi të kënaqur, sepse Allahu ka planin e Tij, Ai e di se sa jep. Ai jep me masë, aq sa dëshiron, sepse Ai i njeh mirë dhe i sheh robërit e Vet.

Në fund të së njëjtës sure, Allahu e përmend të njëjtin fakt, por kësaj here në lidhje me fëmijët. Ai thotë: “Të Allahut janë pushteti mbi qiejt dhe Tokën. Ai krijon çka të dojë! Ai, i dhuron kujt të dojë vajza, e kujt të dojë i dhuron djem, – ose i dhuron dy gjinitë: djem e vajza, e kë të dojë e bënë steril. Ai, në të vërtetë, është i Gjithëdijshëm dhe i Pushtetshëm.” (esh Shura, 49-50)

Allahu e di se kujt çka do t’i japë, Ai e di se kujt sa do t’i japë, Ai e di se cilët njerëz me çka do t’i sprovojë.

Një nga përparësitë kryesore të besimit në kader (caktimin e Zotit) është kur ndjeni kënaqësi në zemër, çfarëdo që ka ndodhur, ajo ka ndodhur për shkak të kaderit.

Kaderi shfrytëzohet për qetësim dhe për të gjetur lehtësim në fatkeqësi. Kaderi nuk është justifikim për mëkatet. Ai shfrytëzohet për të gjetur paqen në atë që ka caktuar Allahu. Nuk keni gjetur punë, caktim i Allahut, Allahu kështu e ka caktuar, nuk keni fituar një milionin që keni pritur nga puna juaj, Allahu kështu e ka caktuar. Ju nuk e keni fituar këtë, nuk e keni fituar atë, keni bërë lutje Allahut, nuk e keni fituar …

Theksi është se duhet të provoni. Nëse nuk e keni provuar, atëherë ky është problemi juaj. Provojeni, nëse nuk ndodh, atëherë themi se është kader i Allahut. /Jasir Kadi; IslamBosna.ba/

Përkthim: Miftar Ajdini

(Islampress)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *